​Mustafa porosit VV: Jemi parti gati të barabarta

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje të balancuar për qeverisje.

Sipas kreut të LDK-së, dy partitë janë gati të barabarta, dhe për këtë arsye në arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës duhet të përfshihen gjitha postet institucionale, përfshirë postin e presidentit.

Ai këto deklarata i bëri me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të LDK-së, ku mes tjerash kërkoi edhe unitet brenda partisë.

Mustafa tha se partia e tij ‘i ka lexuar në mënyrën e duhur’ rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, për këtë, i bëri thirrje edhe subjektit të parë të ketë të njëjtën qasje.

Krahas kësaj lideri i LDK-së tha se partia e tyre meriton më së paku presion publik në procesin e arritjes së marrëveshjes qeverisëse.

Kreu i LDK-së bëri thirrje edhe për unitet brenda partisë, ku sugjeroi që gjitha ambiciet personale të tejkalohet dhe mos sjellin përçarje.

Në jubileun e 30-të të themelimit të LDK-së, Mustafa kërkoi edhe zbardhjen e vrasjeve  të  zyrtarëve të kësaj partie, ku tha se ndriçimi i rasteve është borxh dhe detyrim për të ardhmen e Kosovës, teksa theksoi se në arritjen e marrëveshjes finale të dialogut me Serbinë nuk duhet të cenohet sovraniteti i Kosovës.