​MPJD dhe MSH dalin me deklaratë të përbashkët rreth rastit tragjik të 26-vjeçarit nga Gjilani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Agon Musliut (26) nga Gjilani, i cili vdiq si pasojë e rënies nga objekti i karantinës në Prishtinë ditë më herët, në rrethana ende të pasqaruara mirë.

Në një komunikatë të përbashkët për media thuhet se pas rastit tragjik, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj ministrie.

Gjithashtu, pas informimit për rastin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’u informuar për detajet e tij.

Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Kosovë.

“Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedon vërtetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mos qëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Qendra Operative Emergjente, në kuadër të MSH-së, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.

MPJD dhe MSH bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre të bashkëpunojnë me organet përkatëse.

“Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtur rastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend”, përfundon komunikata.