​LDK e VV thonë se nuk do të bojkotojnë seancat e Kuvendit në këtë sesion

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse në sesionin vjeshtor kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit, në sesionin pranveror kanë paralajmëruar pjesëmarrje në seancat plenare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thekson se do të jenë të pranishëm në seancat plenare, por që do të marrin pjesë në votim vetëm në marrëveshjet ndërkombëtare.Partia më madhe opozitare në vend, vazhdon të kërkon që kjo Qeveri të shkojë në shtëpi dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i kthehet punës së Kuvendit, duke lënë bojkotin. Kështu konfirmon shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca.

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në seanca.

Ndërsa, Memli Krasniqi nga PDK-ja, u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që t’i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.Sipas tij, të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në seanca për të dhënë kontributi në çështje që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve të vendit.Në anën tjetër, organizatat që merren me monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, kanë vërejtjet e tyre sa i përket numrit të madh të pikave në rend të ditës.

Blerta Aliu nga KDI, ka thënë se edhe ky sesion po vazhdon me avazin e vjetër ku agjenda e një seance është tejet e ngarkuar.Sa i përket pjesëmarrjes së partive opozitare në seanca, Aliu thotë se do të duhej të vazhdonte puna e rregullt e Kuvendit..
Ndërkaq, analisti Rasim Alija, thotë se në Kuvend do të duhej të kthehej debati i mirëfilltë për tema të caktuara dhe të mos vazhdohet si në sesionin e kaluar me akuza ndërmjet deputetëve.

Ndërkohë që me 2 shkurt do të mbahet seanca ku do të votohet për buxhetin e këtij viti./KosovaPress/