​Haradinaj në Emergjencë: Falemnderon stafin mjekësor dhe bën thirrje për festim të kujdesshëm

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, vizitoi në orët e mbrëmjes edhe Repartin e Emergjencës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ai me këtë rast është takuar me stafin mjekësor të Emergjencës të  cilët në natën më të hareshme të vitit do të jenë në vendet e tyre të punës me qëllim të shërbimeve sa më të shpejta dhe cilësore për pacientët.

Haradinaj ka uruar stafin mjekësor me rastin e festës së Vitit të Ri dhe u ka shprehur mirënjohje për punën e palodhshme që ata kryejnë, madje është shprehur edhe me tone humori.

Ai apeloi edhe për kujdes gjatë festimit të motmotit nga ana e qytetarëve.

“Për fat të mirë, lajmi është i mirë, nuk kanë shumë raste tash për tash. Apeloj te të gjithë të festojnë sa me më kujdes sidomos ata që drejtojnë makinat, jo nën ndikim të alkoolit, mos ta kthejmë festën në dhimbje. Gjatë mbrëmjes ka pasur mjaft ndërprerje të energjisë, por jemi kujdes të mbetemi në temë. Kam ardhur të falënderoj të gjithë mjekët dhe ata që janë në punë në gjithë vendin, sepse këta do të vazhdojnë të kujdesen për pacientët”, tha Haradinaj.

Ndërsa Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për festën e Vitit të Ri, për t’iu përgjigjur  rasteve eventuale me armë apo mjete piroteknike, por që fatmirësisht deri më tash nuk janë paraqitur raste të tilla.

Pas vizitës në Klinikën Emergjente të QKUK-së, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj është nisur për të vizituar edhe pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës.