​”Gjermania mbështet direkt Haradinajn”

Berlini në mënyrë të përsëritur i ka bërë thirrje qeverisë në Prishtinë të tërheqë taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe BeH. Megjithatë Gjermania, në fakt, direkt mbështet kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, shkruan faqja Demostat duke cituar burime diplomatike perëndimore.

“Haradinaj dhe gjermanët insistojnë në ruajtjen e integritetit të Kosovës, në kontrast me Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst, kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan, e cila është shkaktuar kryesisht nga frika se korrigjimi i kufijve të Kosovës hap kutinë e Pandorës për pjesën tjetër të rajonit…”, citon Demostat një diplomat të paemëruar.

Edhe pse gëzon mbështetjen e Gjermanisë, pozita e Haradinajt në krye të Qeverisë së Kosovës është konsideruar si e “paqëndrueshme dhe e pasigurt”, duke pasur parasysh se SHBA, e cila është aleati më i rëndësishëm i Prishtinës në Perëndim, këmbëngul në heqjen e taksave, të cilën këtë fundjavë e përsëriti në Kosovë nënsekretari i Shtetit për çështjet politike David Hale, vlerëson Qendra për hulumtime Demostat.