​Delegacioni shtetëror bisht i Thaçit për ndarje të Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se do të ishte naivitet i papranueshëm nëse shpjegohet se raportet në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën varen nga heqja e taksës që Kosova ia ka vendosur Serbisë.

Konjufca në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Shpend Ahmeti me Fatmir Limaj kanë bërë gabim kardinal që po i shkojnë prapa Hashim Thaçit, sepse vetëm e kanë amnistuar nga kriza e legjitimitetit.Sipas tij, qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet për shumë çështje të tjera, por jo për taksën e vënë. Derisa ka shtuar se PDK-ja në një mënyrë po e shantazhon kryeministrin Haradinaj, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.Për insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për largim të taksës, Konjufca thotë se Kosova nuk duhet të shëndërrohet në një shtet që vetëm i hap veshët dhe dëgjon se kush po i flet.Sipas shefit të grupit parlamentar të VV-së, taksa është shumë e nevojshme, pasi siç e konsideron ai Serbia e ka mbështet Kosovën për muri me gjithë luftën diplomatike dhe ekonomike që po i bënë. Zgjidhja më e mirë, Konjufca thotë se do të ishte reciprociteti i plotë në të gjitha aspektet.

Sipas tij, partneri i koalicionit, PDK-ja po e shantazhon Haradinajn, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.Në lidhje me dialogun me Serbinë, shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca shprehet se rezoluta e votuar në kuvend është vetëm mashtrim.

Sipas tij, një ditë pas votimit të saj, Federica Mogherini i falënderoi delegacionin shtetëror, e po ashtu konfirmoi se ata janë vetëm ekip mbështetës, duke thënë se dialogu shumë mirë ka ecur me presidentin Thaçi dhe do të vazhdoj me të. Ai e cilëson se me votimin e kësaj rezolute, Hashim Thaçit vetëm i është dhënë legjitimitet. Për këtë arsye, Konjufca thotë se e me apo pa dashje populli do t’i mbajë përgjegjës për atë që do të nënshkruhet në fund.

Zgjidhja ideale, sipas tij, do të ishte nëse kuvendi voton një aktvendim ku i dërgohet Brukselit se gjithçka çka ka negociuar Hashim Thaçi duhet të kthehet në zero.Ai po ashtu vlerësoi se me vetëdije apo pa, ky delegacion po i bëhet bisht presidentit Hashim Thaçi për ndarje të Kosovës. Sipas tij, kjo shihet te mënyra si Thaçi po i mban peng me dokumente që nuk po ia dorëzon, gjë që tregon se është shumë i vendosur për me vazhduar rolin e tij dhe delegacionin me i marrë si bisht here pas here, kur ka kohë në Bruksel.