​​ Në ditën e çlirimit inaugurohet shtatorja e patriotit ”Hasan Prishtina”

Në 20 vjetorin e ditës së çlirimit të qytetit të Vushtrrisë, është inauguruar sheshi dhe shtatorja e patriotit “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Me këtë shtatore, ky i fundit është rikthyer në vendin e tij, nga ku u tha se do të kujtohet përjetë jeta dhe vepra e tij.Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se përulen para atyre të cilët derdhen gjak për lirinë e vendit. Ai tha se në këtë përvjetor agoi dielli i lirisë për qytetin historik, të cilin ai e udhëheq tani.

Tahiri tha se është krenar që në këtë përvjetor përmes inaugurimit të shtatores së Hasan Prishtines, ai po rikthehet në vendin e tij të lindjes. Kjo shtatore tha se duhet të shërbejë si inspirim për vazhdimin e rrugës së tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi tha se Hasan Prishtina ka eshtrat nën dhe, por ai është i gjallë.

Në emër të Shoqatave të dala nga lufta, Shaip Hyseni tha se do të kujtojnë gjithmonë luftën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi të vendit.

Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ai i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i VV-së Albin Kurti, dhe shumë përfaqësues politikë, e qytetarë të këtij vendi.

Kuvendi Komunal ka ndarë edhe mirënjohje për dëshmorët e rënë.Derisa është ndarë edhe çmimi “Pena e artë”, për Remzie Zekollin, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë.Me çmimin “Nderi i Qytetit”, kryetari Tahiri ka dekoruar atdhetarin, Ali Jonuzi. Në emër të presidentit janë ndarë dekorata “Hero i Kosovës” për Avni Saraqi, Bahri Kuçi, Bektesh Haliti, Andi Hajrizi, Nezir Ymeri, e shumë të tjerë.