Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Ajo ka thënë se sulmi ndaj Duriqit është sulm ndaj gjithë shoqërisë.

Më tutje ajo ka kërkuar hetim urgjent të këtij rasti.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj gjithë shoqërisë sonë. Sulme të tilla dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe medias dhe janë sulme direkte mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Institucionet përgjegjëse duhet ta hetojnë urgjent këtë rast, të identifikojnë autorëve dhe të zbulojnë motivet e sulmit, dhe po ashtu që të merren masa ligjore efikase”, ka shktruar ajo në një postim në “Facebook”.

Tre persona akoma të panjohur për Policinë e Kosovës, e kanë sulmuar fizikisht mbrëmë gazetarin hulumtues Visar Duriqi.

Duriqi ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në QKUK në Prishtinë.

Si pasojë e sulmit fizik, gazetarit ia kanë thyer edhe dhëmbët.