Zyrtari rus: Referendumi për bashkimin e Khersonit me Rusinë nuk do të mbahet derisa të ndalen luftimet

Nënkryetari i administratës ruse në Kherson thotë se në këtë pjesë nuk do të mbajnë një referendum për bashkimin zyrtar me Rusinë, derisa të pushojnë luftimet aty dhe rajonet e afërta të Odesës dhe Mykolaiv.

Kirill Stremousov, nënkryetari i Administratës Civile Ushtarake në Kherson, tha për Reuters të shtunën se aktualisht “nuk ka bisedime për një referendum”.

“Ne do të shpallim më vonë kur të zhvillohet një lloj votimi ose plebishiti, por nuk do të jetë sot dhe nuk do të jetë nesër, sepse detyra jonë e parë është të rivendosim rendin dhe të organizojmë një sistem administrimi në rajonin e Khersonit”, shtoi Stremousov.

Rajoni në Ukrainën jugore ka qenë nën kontrollin rus që nga fillimi i pushtimit në fund të shkurtit, shkruan CNN, transmeton KlanKosova.tv.