Zyrtari i VV-së: Ka opsione të reja në tavolinë. Lexoni libra derisa të kryhet marrëveshja!

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka akuzuar mediat se po spekulojnë në raportimet e tyre rreth negociatave të LDK’së e Vetëvendosjes, të cilat vendosen të heshtin pas takimit të sotëm të dy lidervëe Albin Kurti e Isa Mustafa.

Zaimi ka treguar në profilin e tij në Facebook se në tavolinë ka oferta të reja, por nuk ka akoma marrëveshje.

“Portalet menjëherë fillojnë me spekulime pa lidhje. Gazetaria dhe spekulimi janë gjëra të ndryshme. Rrenat nuk janë lajm. Bisedimet mes LV e LDK janë duke u zhvilluar, intensive si kurrë më parë. Ka opsione të reja në tavolinë, ka edhe lëvizje, por ende nuk ka marrëveshje. Do të marrë kohën e vet marrëveshja, sepse ne nuk dëshirojmë marrëveshje të padrejtë. Kur s’keni çfarë bëni, lexoni letërsi ose shihni ndonjë film, siç bëj unë. S’ka nevojë për fake news”, ka shkruar Zaimi.

Ndërkaq edhe LDK’ja pak më parë doli me njoftim rreth negociatave të deritanishme me VV’në.

Në njoftimin e partisë së Mustafës thuhej se i kanë paraqitur një ofertë për bashkëqeverisje Vetëvendosjes.

“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

Ky është deklarimi i parë zyrtar që nga përfundimi i takimit të sotëm mes Kurtit e Mustafës.

Dy liderët, ndryshe nga herë tjera, refuzuan të deklarohen për media, pas takimit që patën sot.