Zyrtari i State Departmentit i shkon në shtëpi Isa Mustafës

Krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar sot një takim me zëvendës ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, në shtëpinë e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, me të cilin kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e kishte falënderuar Palmer për mbështetjen e shtetit amerikan për Kosovën .

“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa Palmer i kishte kërkuar Mustafës që LDK-ja të ketë një rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës.

Palmer gjithashtu ka përsëritur përkrahjen e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat.

Së bashku me Mustafën në këtë takim kanë qenë edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri e Avdullah Hoti, ndërsa Palmer ka qenë i shoqëruar nga Colleen Hyland nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Palmer ditë qëndruar edhe në Beograd, ku e kishte shprehur hapur mbështetjen e SHBA-së për krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.