Zyrtari i OBSH-së i fajëson të rinjtë për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka fajësuar të rinjtë për rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge tha se të rinjtë janë përgjegjës për rritjen e rasteve.

“Të rinjtë janë përgjegjës për rritjen e rasteve me COVID-19 në Evropë”, tha Kluge për Radio BBC.

Ai u shpreh se autoritetet duhet të komunikojnë më mirë me të rinjtë.

“Një numër vendesh në rritje po përjetojnë shpërthime lokale dhe shtim të rasteve. Ajo që ne dimë është se kjo vjen si pasojë e ndryshimet të sjelljes njerëzore”, theksoi Kluge.

Gjithashtu, ai shtoi se OBSH-ja po merr raporte nga disa autoritete shëndetësore për një proporcion më të lartë të përhapjes së infeksionit mes të rinjve.

“Për mua, thirrja është mjaftueshëm e qartë për të rimenduar një mënyrë sesi të përfshihen më mirë moshat e reja”, u shpreh ai.

Si babai i dy vajzave, Kluge tha se e kupton që të rinjtë nuk duan t’u kalojë vera pa e shijuar, por shton se ata kanë përgjegjësi përveç vetes, edhe ndaj prindërve, gjyshërve dhe komunitetit.

Zyrtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bën thirrje këtyre grupmoshave që të mbajnë maska, t’i dezinfektojnë duart dhe ta respektojnë distancimin social.