Zyrtari i LDK-së: Vizita e Palmer dhe Lajçak, shtytje dhe presion ndaj qeverisë në procesin e dialogut

Zyrtari i LDK-së, Faton Bislimi, e ka vlerësuar si shumë inkurajuese vizitën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Bislimi theksoi se kjo vizitë është shtytje dhe presion në procesin e dialogut drejt marrëveshjes finale.

“Është shumë inkurajuese që të kemi një bashkërendim me të drejtpërdrejt dhe substancial mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu është inkurajuese që Vetëvendosja po e mirëkupton këtë proces dhe po punon për këtë e nuk po bën opozitarizëm si më parë”.

“Vizita e Lajçak dhe Palmer është shtytje që i bëhet procesit të dialogut në mënyrë që finalizimi i tij të vij sa më shpejt më një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të mirë të të dyja vendeve”.

“Kjo vizitë do të thoja se i ka të dyja anët, në të njëjtën kohë është angazhim shtesë për t’i dhënë shtysë dhe përshpejtim dialogut dhe në të njëjtën kohë mund të kuptohet si presion ndaj kësaj qeverie që të kuptoj çështjen e dialogut që në këtë mënyrë të përfundojë suksesshëm i gjithë ky proces edhe është interes nacional i yni që të përfundoj ky proces në të mirë të vendit tonë”, tha Bislimi.

Bislimi tha se barra e vendimmarrjes ka filluar të nënkuptohet nga Qeveria e Kosovës, njofton Klankosova.tv

“Besoj se barra e vendimmarrjes ka filluar të nënkuptohet nga bartësit e institucioneve të shtetit shpresoj që Qeveria e Kosovës te jetë mendje prehtë dhe çështjen e dialogut ta merr si përgjegjësi shtetërore dhe jo për parti politike”.

“Dialogu nuk mund të neglizhohet deshi apo nuk deshi një kryeministër a qeveri pasi është proces që shtyhet nga ndërkombëtarët dhe e ka thënë edhe presidenti Biden se dialogu duhet të përfundoj me marrëveshjen reciproke”, tha Bislimi.

Tutje ish-deputeti tha se do të ishte naivitet politik nëse negociatat në një proces të tillë të përfundonin pa një kompromis.

“Do të ishte naivitet politik që negociatat për një proces siç është ky mes Kosovës dhe Serbisë që janë në armiqësi shumë moti do të përfundonte pa një kompromis. Çfarëdo kompromisi përtej pakos së Ahtisarit do të nënkuptonte shkundje të themeleve të formimit të këtij shteti”.

“Kërkesa e Serbisë dihen botërisht dhe kanë qëllim zhbërjen e shtetësisë së Kosovës kjo është mënyra që ka gjet Serbia dëmtimin e Kosovës pasi tashmë e din së ushtarakisht nuk mund ta dëmtoj Kosovën pasi kemi NATO-në dhe ushtrinë e Kosovës e për këtë i është përveshur punës për çnjohjen e Kosovës nga shtetet që është më e afërt. Meqë zhbërjen e pavarësisë nuk mund ta bëjë dhe nuk mund të na rimarrin si Kosovë përmes Asociacionit që ata pretendojnë e ne nuk duhet ta lejojmë të ketë interferim në Kosovë”.

Bislimi mes tjerash theksoi se beson shumë se më në fund angazhimi më i hovshëm i BE-së dhe SHBA-vë në bashkëdyzim do të sjellin në përfundim të gjithë këtë proces.