Zyrtari i lartë i MD-së për Haxhiun e Sallahun: Kanë tendenca të më largojnë nga puna

Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë Elbasan Dervishaj, ka dërguar kallëzim penal ndaj ministres së këtij dikasteri Albulena Haxhiu dhe zëvendësit të saj Blerim Sallahu.

Dervishaj tha për Klankosova.tv se Haxhiu dhe Sallahu e kanë diskriminuar dhe se vetëm ndaj tij kanë kërkuar auditim për punën e bërë.

“Kallëzimin e kam paraqitur për shkak të diskriminimit ndaj meje. Me kërkesën e Sallahut jam audituar për vijueshmëri, pastaj më kanë shqiptuar vërejtje, të cilën e kam kundërshtuar. Këshilli i Pavarur Mbikqyrës ka vendosur se unë jam diskriminuar dhe e ka detyruar MD-në për të anuluar masën e shqiptuar” – tha Dervishaj.

Ai theksoi se këto janë tendenca për ta larguar nga puna.

“Vlen të theksohet se audimi është kërkuar vetëm për mua dhe për asnjë drejtori tjetër që ishte në takimin e datës 31 maj 2022. Por, këto janë tendenca për të më larguar nga puna. Dhe normal se kam reaguar. Secilin nga pretendimet e kam arsyetuar në dosjen, përkatësisht kallëzimin penal” – theksoi ai.

Zyrtari i lartë në Ministrinë e Drejtësisë tha se kallëzimi ndaj të parës dhe të dytit të kësaj ministrie ka të bëjë me tre vepra penale.

“Pengimi i personit zyrtar. Cënim i marrëdhënies së punës. Keqpërdorim i pozitës zyrtare”- tha për Klankosova.tv zyrtari i lartë i MD-së.

Elbasan Dervishaj po ashtu tha se kabineti i MD-së e ka dërguar në Komision Disciplinor për një postim të tij në rrjete sociale.

“Për info tuajën prapë jam dërguar nga kabineti në Komision Disiplinor, pas një postimi në FB personal timin rreth vendimit të këshillit. Tani jam prap në komisioni disiplinor. Jam në pritje të ftesës për seancë” – tha Elbasan Dervishaj për Klankosova.tv.