Zyrtari i lartë i kompanisë Limak fyen rëndë Qeverinë e Kosovës: Jeni të korruptuar e amator

Turku Gokmen Aritay, zyrtar i lartë në menaxhmentin e kompanisë që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka fyer ëndë autoritetet e aviacionit civil të Republikës së Kosovës, duke i quajtur amator, burokrat dhe të korruptuar të cilët vetëm i kopjojnë rregulloret.

Në një postim në llogarinë personale në rrjetin social Linked-In, Gokmen Aritay, zyrtar i lartë në menaxhmentin e kompanisë “Limak”, ka fyer rëndë autoritetet e aviacionit civil të Republikës së Kosovës, duke i quajtur amator, burokrat dhe të korruptuar të cilët vetëm i kopjojnë rregulloret.

Punëtorët e aviacionit civil i quan persona amatorë dhe përvojë të kufizuar vetëm pse i kërkuan masa mbrojtëse ndaj COVID-19.

“Kjo pandemi ka zbuluar edhe një herë sesi pjesa burokratike e industrisë së aviacionit është larg përditshmërisë së vërtetë të menaxhimit të rasteve urgjente në aeroporte. Ata realisht janë shumë prapa në menaxhimin e aeroporteve. Qeveritë e kanë obligim të rregullojnë autoritetet e tyre të aviacionit për t’i shndërruar në qendra të industrisë së barabarta e të drejta. Të hiqen amatorët, personat me përvojë të kufizuar, që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan kur janë në pozitë autoriteti! Dhe natyrisht duhet pastruar edhe tipat e korruptuar. Madje duhet konsideruar edhe privatizimin e autoriteteve civile të aviacionit. Përndryshe këta do të vazhdojnë të kërkojnë çdo detaj të rregulloreve për të ushqyer egot e tyre, ose xhepin e tyre. Rregulloret me Copy/Paste zakonisht nuk funksionojnë, pa përvojën dhe dijeninë e duhur”, thuhet në reagimin e Aritay, transmeton Gazeta Metro.

Por, sipas burimeve të Metros, ky zemërim i z. Aritay shprehur në llogarinë e tij në rrjetin social, dhe më vonë i shlyer nga aty, kishte ardhur si pasojë e reagimit të IKShP-së dhe mjekut të aeroportit për ndërmarrjen e masave mbrojtëse gjatë pandemisë.

Zyrtar të IKShP-së dhe mjeku kujdestar kishin sugjeruar që aeroporti të pajiset urgjentisht me kamera termike për matje të temperaturës së pasagjerëve në ardhje. Kjo kërkesë ishte refuzuar kategorikisht nga ky zyrtar i LKIA.

Gazeta mëson se AAC-së i kishte dërguar edhe një shkresë proteste z. Haldun Kokturk, Kryeshef Ekzektutiv i LKIA dhe kishte kërkuar nga ai caktimin e një personi tjetër si pikë kontaktuese me AAC-në, për shkak të sjelljeve të papranueshme me zyrtarët e AAC-së. Pasi nuk kishte reagim ndaj kësaj kërkese, AAC kishte dërguar edhe një tjetër letër Bordit të Limak Holding.

Kush është Gokmen Aritay?

Ky zyrtar i lartë ushtron detyrën e Zyrtarit Kryesor për Operime (COO), ndërsa zyrtarisht në këtë funksion është një zyrtar i emëruar nga Aeroports de Lyon, partner në konsorciumin me Limak, përgjegjës për operime të ANP “Adem Jashari”.

AAC kishte vërejtur se z. Aritay, përdor titullin COO, prandaj kishte kërkuar sqarime nga menaxhmenti i LKIA. Ky zyrtar shumë herë është përfolur për sjelljet e tij të këqija në raport me nëpunësit vendor, për largime nga puna pa arsye, ricaktim të punëtorëve në pozita tjera më të ulëta përkundër përvojës shumë vjeçare e shumë abuzime tjera.

Por kulmi kishte arritur në muajin mars kur e kishte postuar në llogarinë e tije personale në rrjetin social shkrimin e turpshëm kundër Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve përgjegjëse për aviacionin civil. Për shkak të kësaj kishte pasuar edhe letra protestuese e AAC-së. Nuk dihet nëse menaxhmenti i LKIA ka ndërmarrë ndonjë masë ndaj këtij zyrtari, i cili vazhdon të kryej detyrën e tij si më parë.