Zyrtari i BE-së i bën thirrje Rusisë që të lejojë akses të papenguar për ndihmën humanitare

Forcat ruse në Ukrainë duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, të mbrojnë civilët dhe të përmbahen nga dëmtimi dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile, tha Janez Lenarçiç, komisioneri evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave.

“Qasja ka qenë në shumë vende, në rastin më të mirë sporadike ose jo-ekzistente”, dhe Rusia “nuk po ofron akses të papenguar për furnizimet humanitare dhe punëtorët humanitarë për njerëzit në nevojë”, tha Lenarčič në një deklaratë për gazetarët të enjten, raporton CNN.

Agjencitë e ndihmës që ofrojnë ndihma nga BE-ja përballen me “vështirësi për të arritur disa nga qytetet e rrethuara”, tha ai, duke shtuar se ato kanë “vështirësi për të arritur popullatën, e cila është e bllokuar në zonat e konfliktit aktiv”.

Ai fajësoi forcat ruse për këtë, duke thënë se ato “nuk po i përmbushin detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare”.

Duke folur në Qendrën e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Bashkimit Evropian (ERCC) në Bruksel, ku BE-ja koordinon mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare nga të gjitha 27 vendet e BE-së, komisioneri tha se dhënia e ndihmës për Ukrainën ishte “operacioni më i madh i mbrojtjes civile ndonjëherë”. që kur mekanizmi i reagimit ndaj fatkeqësive të BE-së u krijua në 2001.