Zyrtarët komunalë të Medvegjës urdhërohen të mësojnë gjuhën shqipe

Sipas portalit informativ “Jugpress” nga Leskoci, bëhet e ditur se njëmbëdhjetë persona të punësuar në vetëqeverisjen lokale në Komunën e Medvegjës, kanë marrë urdhër administrativ nga kryeshefja Svetlana Todoroviq, që nga vjeshta e këtij viti, të mësojnë gjuhën shqipe.

Ky vendim është aprovuar që nga viti i kaluar nga kryeshefja Todoroviq, por ka marrë urdhër të zbatohet nga ky vit dhe sipas saj është planifikuar edhe me buxhetin komunal, që të mësohet gjuha shqipe dhe ajo angleze “sepse Medvegja është një komunë shumetnike” dhe tani një nismë e tillë po realizohet, pasi është bërë restaurimi i ndërtesës komunale, ku janë kryer edhe procedurat e prokurimit publik, transmeton Ballkani.info.

Ky lajm ka shkaktuar komente të ndryshme në mesin e banorëve të Medvegjës, duke sjellë dyshimin e dominimit të frikës, në procesin e negociatave për Kosovën, dhe kërkesës së politikanëve shqiptarë që komuna, në të cilën jeton një numër i vogël i anëtarëve të komunitetit shqiptar, t’i bashkohen Kosovës, thuhet më tej në raportin e “Jugpress”.

Udhëzime administrative me shkrim për të mësuar shqip, kanë marrë Kryeshefja e Departamentit për Administratë të Përgjithshme, Zorica Stankoviq, shefja e Departamentit të Ekonomisë dhe Financave, Marina Radenkoviq, Shef i Departamentit të Planifikimit Urban, Ivan Kostiq, auditori komunal, Vladimir Gikiq, Shef i Kabinetit të kryetarit Nikolla Andrejeviq, koordinatori për Zhvillim Ekonomik Lokal, Dejan Simiq, etj.

Medvegja është një komunë e vogël, me rreth 7 mijë banorë, të përkatësive të ndryshme etnike si serbë, shqiptarë, malazezë dhe maqedonas. Deri në vitin 1999, në Medvegjë kanë jetuar rreth pesë mijë banorë, mirëpo për shkak konflikteve të armatosura dhe dhunës sistematike të Beogradit, shumica e shqiptarëve të Medvegjës janë vendosur në Fushë Kosovë dhe Prishtinë. /Ballkani.info/