Zyrtarët e AAK-së, Mogherinit: E padrejtë sjellja jote, pse po heshtni ndaj Serbisë!

Deputetë dhe ministra të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur të papranueshme sjelljen e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian karshi Kosovës, lidhur me taksën 100%.

Ministri, Pal Lekaj ka theksuar se është e padrejtë që të bëhet ky presion në Qeverinë e Kosovës ndërsa asnjëherë s’është bërë presion mbi qeverinë e Serbisë për mos-implementimin ndërmjet dy qeverive.

“Gjithë ky preson që po i bëhet Kosovës është i padrejtë dhe jo e pranueshme. Kryeministri e ka bërë të qartë që taksa nuk do të hiqet para se Serbia ta njoh Kosovën”, ka thënë ai në një emision në Dukagjin.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj ka theksuar se Serbia ka përdorur agresion politik ndaj Kosovës, duke filluar nga ç’njohjet dhe pengimi i Kosovës për anëtarësim në forume ndërkombëtare.

“Heshtja e BE-së përballë këtij agresioni serbë na ka sjellë këtu. Ne është dashur ta mbrojmë vendin tonë. Mogherini kurrë nuk ka reagu me i dërgu letër Serbisë, përkundër sjelljeve armiqësore”, ka deklaruar ajo.