Zyrtarë të partive, familjarë të politikanëve, fëmijë të noterëve, gjyqtarëve e përmbaruesve në listë për t’u bërë noterë

Së paku rreth 50 kandidatë që kanë kaluar provimin me shkrim për noterë janë anëtarë të partive politike, familjarë të tyre apo njerëz të lidhur me sistemin e drejtësisë. Prej rreth 200 emrave që janë në pritje për t’iu nënshtruar testit me shkrim, së paku 50 prej tyre janë emra që kanë lidhje me politikën e sistemin e drejtësisë, shkruan sot Koha Ditore.

Nga rreth 200 emra që e kanë kaluar testin me shkrim, rreth 100 prej tyre, sipas Ministrisë së Drejtësisë, do të fillojnë punën si noterë.

Gazeta nga burime të saj ka identifikuar mbi 50 kandidatë që kanë lidhje me politikën dhe sistemin e drejtësisë.

Në mesin e tyre janë: bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkëpunëtorë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, bashkëshortja e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, vajza e ish-ministrit të FSK-së, Haki Demolli, dhëndri i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjyqtarë, fëmijë gjyqtarësh, përmbarues, fëmijë të përmbaruesve, fëmijë të noterëve, zyrtarë të PDK-së, i biri i ish-presidentit, Fatmir Sejdiu e emra të tjerë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, konkursin për noterë e ka cilësuar si pjesë të reformës “Drejtësia 2020”. Ka konsideruar se procesi deri tash është udhëhequr në bazë të meritokracisë.