Z Mobile Prishtina

ZYRTARE: Prishtina tërhiqet nga Liga Ballkanike

Bardhekaltrit e kanë marrë vendimin befasues për t’u tërhequr nga Liga Ballkanike.

Z Mobile Prishtina nuk do të jetë pjesë e Ligës Ballkanike këtë edicion edhe pse ishte regjistruar për të marrë pjesë në këtë ligë.

Lajmin e ka bërë të ditur sot Liga Ballkanike përmes uebfaqes së vetë zyrtare.

“Më 1 janar KB Z Mobile Prishtina e ka dërguar një e-mail në drejtim të menaxhmentit të BIBL-së duke njoftuar se menaxhmenti i klubit nuk mund të arrijë marrëveshje me Federatën e Basketbollit të Kosovës rreth programit dhe orarit të ndeshjeve në ligën lokale, por edhe në FIBA Europe Cup e BIBL, prandaj detyrohen të tërhiqen nga BIBL”, njofton Liga Ballkanike.

Pa dyshim, vendimi i klubit më të madh kosovar i ka befasuar drejtuesit e kësaj lige dhe tash duhet ndërruar sistemi i garave dhe kalendari i tyre.

Liga Ballkanike njofton po ashtu se nuk do ta detyrojë asnjë ekip të marrë pjesë në konflikt me rregullat, andaj e respekton vendimin e klubit kosovar.

“Është vendim i KB Z Mobile Prishtina që të tërhiqet nga BIBL dhe ne e pranojmë kërkesën e tyre”, përfundon Liga Ballkanike, e cila i uron suksese Prishtinës në ligën vendore dhe në kompeticionet e FIBA-s.