Zyrtare: Kurti demantohet për deklaratën se do udhëtojë në nëntor për në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se gjatë muajit nëntor të këtij viti do të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto deklarata, Kurti i kishte bërë më 20 shtator të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, ku kishte thënë se deri atëherë nuk kishte aplikuar për vizë pasi që nuk ka pasur synim të udhëtojë për në SHBA.

“Mirëpo, në SHBA do të udhëtoj në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti.

Por, edhe pse tashmë jemi në ditën e fundit të muajit nëntor, kryeministri Kurti nuk ka realizuar ndonjë vizitë në SHBA, përkundër se kishte thënë se kishte në plan një udhëtim të tillë.

Në shtator të këtij viti, Kurti në Kuvend kishte folur edhe për miqësinë me presidentin amerikan, Joe Biden, të cilin Kurti e kishte mbështetur publikisht në kandidaturën e tij për president të SHBA-ve.

“E sa për miqësinë me presidentin Biden, ju e dini që jam kryetari i parë i një subjekti politik që e kam mbështetur paraprakisht e publikisht. Ndërkohë që ju të tjerët keni shikuar kush po fiton”, kishte deklaruar Kurti.

Përveç kësaj, edhe nga qeveria kishin thënë se Kurti është duke planifikuar ta vizitojë së shpejti Amerikën.

“Kryeministri Kurti është i pajisur me vizë amerikane. Ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti. Vizita e tij është duke u planifikuar”, kishin thënë nga qeveria.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për ta pyetur se kur planifikon kryeministri ta realizojë vizitën e tij, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.