Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para pak minutash ka filluar mbledhjen për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019.

Ky institucion në fillim të mbledhjes ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit të një ditë më parë në Republikën e Shqipërisë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka duke folur në emër të institucionit që e drejton ka shprehur “ngushëllimet më të sinqerta të gjitha familjeve që humbën më të dashur e tyre nga ky tërmet”, duke shtuar se “solidarizohemi me dhimbjen tuaj, ndërsa të lënduarave u urojmë shëndet”.

Lajmi.net ka siguruar listat zyrtare të deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.

Në bazë të këtyre rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet nga 29 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës, 28 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 24 deputetë, Koalicioni AAK-PSD, 13 deputetë, Lista Serbe, 10 deputetë ndërkaq, Koalicioni Nisma-AKR-PD, 6 deputetë.