Ilir Murtezaj është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës.

Ballkani.info ka mësuar se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 5 shkurt 2019, përmes vendimit numër 2230/2019 e ka emëruar Ilir Murtezajn, Drejtor të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.

Nga 18 janari 2018, ky institucion kishte funksionuar me Bashkim Shalën ushtrues detyre të drejtorit.

“Duke u bazuar në kompetencat që Ligji i jep Ministrit të Financave, ministri Bedri Hamza e ka caktuar U.D të Drejtorit të ATK-së z. Bashkim Shala”, thuhej në një përgjigje të Ministrisë së Financave për Ballkani.info.

Për Drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës kishin konkurruar gjithsej 17 kandidatë, të cilët i kishin plotësuar kriteret për të qenë pjesë e listës së ngushtë.

Prej tyre, nga pesë kandidatët që ishin përzgjedhur si më të mirët, Ilir Murtezaj kishte fituar më së shumti pikë.

Murtezaj më herët ka qenë Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mëdhenj (DTM-së), të cilin ish-menaxhmenti i kaluar e kishin larguar duke e transferuar në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Shërbimit të Tatimpaguesve (DSHT-së), pozitë që sipas Murtezajt ishte inekzistente ligjërisht.

Ai kishte ushtruar kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerit, si dhe dy zëvendësdrejtorëve, Bashkim Shalës dhe Hamdi Hoxhës.

Murtezaj kishte akuzuar eprorët e tij për veprim të kundërligjshëm me nxjerrjen e vendimin nr.148, më 7 prill 2016, për transferimin e tij. /Ballkani.info/