Zyrtare: Eskobar e Lajçak takohen edhe me liderët e opozitës

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nesër do të vizitojnë Kosovën e më pas edhe Serbinë.

Pos liderëve shtetërorë, dy përfaqësuesit ndërkombëtarë do të takohen edhe me drejtuesit e opozitës.

Takimi i kryetarit të PDK-së me Eskobar është konfirmuar nga kjo parti.

“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burime brenda PDK-së për Demokracia.com.

Po ashtu, takim me Escobar do të ketë edhe kreu i LDK-së dhe kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësja politike e LDK-së dhe anëtarja e kryesisë, Sibel Halimi.

Halimi ka thënë se Abdixhiku do të ketë një darkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun dhe atë të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave.

“Po, do të ketë një darkë. Por, do të ketë edhe takime tjera”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.

“Vlerësojmë rolin e BE-së dhe angazhimin e ShBA-ve në dialog. Duke ndjekur agjendën e paraparë, LDK do të takojë përfaqësuesit në fjalë, respektivisht z. Escobar dhe z. Lajçak. Përpos darkës, do të ketë edhe takime të tjera”, ka shtuar Halimi.

Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë folur lidhur me këtë çështje.

Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të mërkurën në Prishtinë, ku do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

Megjithatë, burimet e BE-së kanë thënë se “do ta vazhdojnë punën intensive në kërkim të zgjidhjes” dhe se “derisa të mos arrihet zgjidhja, nuk do ta konsiderojnë këtë rund të dialogut si të përfunduar”.

Në Bruksel, diplomatët kanë pranuar se ka hapësirë për rritjen e tensioneve, prandaj edhe duan që të dyja palët të jenë të përgjegjshme, të kërkojnë zgjidhje dhe të evitojnë sjelljet që mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës.

Fakti se Escobar dhe Lajçak shkojnë së bashku në Beograd dhe Prishtinë shihet si dëshmi se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje për çështjet e targave dhe dokumenteve serbe.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë. Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar. Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve. Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi./ Demokracia.com/