Zyra e rekrutimeve të jashtëligjshme: Një ‘ekspert’ u pagua 6 mijë euro në muaj

Një “ekspert” i rekrutuar jashtëligjshëm në Zyrën e kryeministrit (ZKM) në gjysmën e dytë të 2019-s ka arkëtuar secilin muaj nga 6 mijë euro. Një tjetër ka marrë pagë edhe rreth një vit pasi ishte përmbyllur projekti për zbatimin e të cilit e kishte angazhuar Qeveria që drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Gjetjet i ka bërë Auditori i Përgjithshëm dhe i ka evidentuar në draftin e raportit vjetor për ZKM-në, që pritet ta publikojë brenda pak ditësh. Dokumenti, pjesë të të cilit ka siguruar KOHA, liston numër të madh shkeljesh, jo veç në punësime të kësaj natyre, por edhe në menaxhimin e parasë publike.

Në të janë evidentuar shpenzime pa mbulesë për dreka zyrtare, vonesa në mbyllje avance, mbivlerësim i shpenzimeve për mallra e shërbime, mungesë vlerësimi gjatë ndarjes së subvencioneve për personat fizikë, shkelje në procese prokurimi e subvencionim i jashtëligjshëm për OJQ-të.

Punësimi i ekspertit me pagë 6 mijë euro ishte bërë nëpërmjet të ashtuquajturës marrëveshje për shërbime të veçanta.

“Në marrëveshjet e lidhura, ceket se eksperti është angazhuar për kryerjen e shërbimeve profesionale, por nuk ka një përshkrim më të detajuar rreth këtyre shërbimeve”, thuhet në draftin e raportit.