Zyra e Haradinajt flet rreth çështjes së “refuzimit” të vizës amerikane

Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës, i ka thënë portalit Koha.net se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka marrë ende ndonjë përgjigje zyrtare rreth vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tutje, Gashi ka treguar se për çfarë e kishte ndërmend Haradinaj të udhëtonte për në SHBA.

“Zyra e Kryeministrit ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth çështjes së vizës për z. Ramush Haradinaj. E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”, ka thënë Gashi.

Al Jazeera Balkans, duke u thirrur në burime brenda Departamentit të Shtetit, njoftoi sot se kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i është refuzuar viza amerikane, kështu që nuk do të mund të marrë pjesë në konferencën për Ballkanin në fillim të muajit shkurt.

Siç ka raportuar për mediumin në fjalë gazetari i tyre nga Washingtoni, më herët Haradinaj kishte pranuar ftesë për pjesëmarrje në punimet e konferencës, e cila mbahet më 6 shkurt. Por, burimi i AJB nga Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se Haradinaj nuk ka marrë vizë për shkak të ngritjes së taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Haradinaj është dashur të marrë pjesë në këtë konferencë, ndërsa mos-shkuarja e tij i është konfirmuar mediumit edhe dikush nga organizatorët.

Sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, respektivisht çeshtjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:

1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.

3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.

4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.

5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.

6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.

7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.

8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”.

Për këtë sot ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se derisa nuk ka garancë ndërkombëtare për marrëveshje me Serbinë, taksa mbetet në fuqi. /Ballkani.info/