Seanca e Kuvendit

Zyra e BE-së mirëpret miratimin e Ligjit për dhunën në familje

Komunikatë për media: BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit për dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka mirëpritur miratimin e Ligjit për dhunën në familje, dhunën në bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave.

Në komunikatën e lëshuar nga nga kjo zyrë, thuhet se miratimi i këtij ligji është hap përpara drejt një sistemi më efikas për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e të mbijetuarve.

“Ai parashikon përgjegjësi dhe masa mbrojtëse të përforcuara institucionale, siç parashikohet në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se është thelbësore për Kosovën që tani të zbatojë me shpejtësi ligjin në përputhje me Kodin Penal, Konventën e Stambollit dhe legjislacionin e BE-së.

“U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndajnë burimet e nevojshme dhe të garantojnë një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve publike për hartimin e akteve nënligjore, duke përfshirë siç duhet organizatat e shoqërisë civile”, thuhet më tej në reagim.