Zvizdiq shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Thaçit në konferencën e Sarajevës

Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, në mandatin teknik, Denis Zvizdiq, shprehu sot keqardhje për mos ardhjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Sarajevë në konferencën e BERZH-it.

“Ne, si Këshill i Ministrave, kemi lëshuar vizat për të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti. Nuk i di të gjitha arsyet pse Thaçi nuk ka ardhur. Do të isha i lumtur të kemi edhe përfaqësuesit e Kosovës”, u tha gazetarëve Zvizdiq pas panelit për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundimisht ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm.