Zviceranët votojnë për ndalimin e reklamave të duhanit

Zviceranët u janë drejtuar sot kutive të votimit për të vendosur për një sërë masash, duke përfshirë ndalimin e reklamimit të duhanit kudo që të rinjtë mund ta shohin atë.

Zvicra, pavarësisht imazhit të saj tmiqësor ndaj mjedisit, ka rregulloret më të dobëta për duhanin në Evropë.

Shumë kohë pasi pirja e duhanit në bare dhe restorante u shpall e jashtëligjshme në Britaninë e Madhe, Francë ose Gjermani, zviceranët ishin ende duke e pirë.

Blerësve të supermarketeve i afroheshin rregullisht vajza të reja të buzëqeshura, të cilat i jepnin paketa falas të markës më të fundit të cigareve. Dhe ndërsa këto taktika tashmë janë ndaluar, reklamimi i duhanit mbetet.

Ndërkaq, Konventa e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit u negociua në Gjenevë pothuajse 20 vjet më parë. Zvicra e nënshkroi atë, por ende nuk e ka ratifikuar, dhe mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e ka bërë këtë, sepse në legjislacionin e saj gjenden probleme në lidhje me reklamimin e duhanit.

Krahasuar me pjesën më të madhe të Evropës, cigaret në Zvicër janë të lira dhe 27% e të rriturve zviceranë pinë duhan duke pasur një mesatare mjaft të lartë në listën e vendeve Europiane.

Herë pas here legjislacioni që synon vendosjen e kufizimeve më të forta është refuzuar në parlament. Edhe tani, pasi aktivistët mblodhën mjaft nënshkrime për të detyruar një referendum që kërkon një ndalim, qeveria zvicerane ka rekomanduar refuzimin e ndalimit.

Referendumi i së dielës është një nga votimet e shumta sipas sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë të Zvicrës.  Industria e duhanit vlerësohet të kontribuojë më shumë se 5 miliardë euro në vit në ekonominë zvicerane, dhe punëson mbi 11,000 njerëz./abcnews.al