Zviceranët po votojnë në një referendum për rritjen e moshës së pensionimit për gratë

Zviceranët po votojnë sot për një reformë pensionesh që qeveria thotë se është thelbësore për ta shpëtuar sistemin dhe përfshin një propozim për ta rritur moshën e pensionimit për gratë.

Pas dy tentativave të dështuara në 2004 dhe 2017, Berna zyrtare shpreson që më në fund të marrë vota të mjaftueshme për një propozim për ta “stabilizuar” sistemin zviceran të pensioneve, i cili kërcënohet të mbingarkohet nga brezi i madh i grave që po i afrohen pensionimit. Një nga mjetet për të mbledhur më shumë para për sistemin e pensioneve është rritja e taksës së shitjes, e cila duhet të sjellë të ardhura prej 12.4 miliardë franga zvicerane deri në vitin 2032.

Reforma, e cila është edhe më e diskutueshme, parashikon që gratë të punojnë deri në moshën 65 vjeç për një pension të plotë, në vend që të mund të dalin në pension një vit para burrave, siç është tani. Kjo, pretendon qeveria, do t’ia mundësojë Zvicrës t’i kursejë 4.9 miliardë franga zvicerane në 10 vitet e ardhshme.

Reforma do ta bëjë më të lehtë për njerëzit që të vazhdojnë punën pas arritjes së moshës zyrtare të pensionit, duke i lejuar ata të dalin gradualisht në pension deri në moshën 70 vjeçare. Masat kryesore u miratuan nga parlamenti në fund të vitit të kaluar, por partitë e majta dhe sindikatat që i kundërshtojnë vendosën të kërkojnë një referendum.

Me pretendimin se reforma po kryhet “mbi kurrizin e grave”, ata mblodhën tre herë më shumë nënshkrime se sa duhet për shpalljen e referendumit.