Zvarritet dhënia e çmimeve vjetore për teatrin, juria kërkon sqarim nga MKRS-ja

Kanë kaluar shumë muaj prej kohës kur është dashur të jepeshin çmimet vjetore për teatër, por procesi ende nuk konsiderohet i përfunduar. Kjo pasi që fituesit nuk janë ftuar ende në ngjarjen ku jepen ato.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte shpallur konkursin në shkurt të këtij viti dhe më pas kishte emëruar edhe jurinë, në përbërje prej pesë anëtarëve.

Juria profesionale ishte mbledhur, më 5 gusht, mirëpo në këtë takim nuk kishte marrë pjesë njëri nga anëtarët e komisionit, në këtë rast Fatos Berisha, pasi që ai ishte bllokuar jashtë vendit për shkak të pandemisë COVID-19.

Katër anëtarët e tjerë të komisionit, me lejen edhe të Berishës, kanë votuar në mënyrë profesionale për ndarjen e çmimeve.

IndeksOnline, ka kontaktuar me anëtarë të komisionit dhe me krerët e Ministrisë së Kulturës për të parë se pse është bllokuar procesi.

Derisa disa nga anëtarët e jurisë thonë se komisioni ka kryer punën e vet, në MKRS thonë se ende nuk e kanë pranuar raportin.

Agim Selimi, anëtar i komisionit ka thënë se juria, ndonëse jo në përbërje të plotë, ajo ka vendosur për ndarjen e çmimeve.

“Jemi mbledhur. Komisioni e ka kryer punën e vet dhe rezultatin ia kemi dërguar ministrisë. Komisioni nuk ka qenë në përbërje të plotë, mirëpo me lejen e një anëtari që ka qenë e pamundur t’ishte në mbledhje, jemi taku dhe në mënyrë profesionale kemi vendosur për çmimet”, ka deklaruar Selimi.

Njësoj thotë edhe anëtarja tjetër e jurisë, Marigona Bekteshi- Ferati.

“Ne katër anëtarët e komisionit jemi takuar dhe kemi votuar. Procesverbali është nënshkruar dhe është përcjellë më tej. Jemi dakorduar që anëtari i pestë i jurisë, në këtë rast Fatos Berisha, kur të arrijë në Kosovë ta japë votën e tij dhe të procedohet me ndarjen e çmimeve. Unë nuk e di pse ai nuk po e jep votën. Si anëtarë të jurisë, e kemi kryer punën tonë dhe po presim vetëm të njoftohemi për datën e ndarjes së çmimeve”, ka deklaruar ajo.

IndeksOnline, ka tentuar të kontaktonte edhe me anëtarin tjetër të jurisë, Fatos Berisha, për ta pyetur pse ai nuk po e voton, mirëpo ai nuk është paraqitur në telefonin e tij.

Por, kryesuesja e këtij komisioni, Sebahate Beqiri, ka thënë për IndeksOnlinen se bazuar në situatën e krijuar, (mungesa e një vote) në emër të anëtarëve të komisionit ka kërkuar sqarim mbi hapat e mëtejshëm, por deri tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga MKRS-ja.

“Në muajin gusht është mbajtur takimi i parë dhe deri tani i vetmi, por jo në përbërjen e plotë prej pesë anëtarëve. Prandaj procesi i vlerësimit nuk ka përfunduar dhe rrjedhimisht nuk mund të përpilohet raporti. Bazuar në situatën e krijuar, në emër të anëtarëve të komisionit, kam kërkuar sqarim mbi hapat e mëtejshëm, por deri tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga MKRS-ja. Personalisht mendoj se procesi duhet të përfundojë sa më parë jo vetëm si obligim ligjor, por edhe si nevojë e vlerësimit dhe motivimit të artistëve të fushës së teatrit”, ka thënë Beqiri.

IndeksOnline, ka siguruar edhe një e-mail të znj.Beqiri e cila ka kërkuar sqarim nga drejtoresha e Kulturës në MKRS, Jehona Shyti për hapat se si duhet ndjekur në këtë rast.

Ajo ka pyetur Shytin se a kanë ndonjë informatë për ardhjen e anëtarit të fundit dhe se a ka mbetur vendimi i njëjtë i komisionit, apo ka ndryshuar ndërkohë, mirëpo ajo siç thotë edhe vetë nuk ka marrë ndonjë përgjigje ende MKRS-ja.

Ndërkohë, drejtoresha e Kulturës në MKRS, Jehona Shyti, ka thënë për IndeksOnline se për shkak të rrethanave të krijuara ndarja e çmimeve është shtyrë pasi që nuk janë takuar të gjithë anëtarët e jurisë.

“Neve si drejtori e kulturës nuk na takon të ndërhyjmë në proces. Sapo ta kemi raportin e jurisë, do të fillojmë edhe ndarjen e çmimeve, por deri tani nuk kemi raport”, ka thënë ajo duke shtuar se shumë shpejt do të përfundojë ky proces.

Në rregulloren për ndarjen e çmimeve për teatër, në nenin 4, pika 4 thuhet se ministri merr vendimin për fituesin e çmimit, sipas vlerësimit të jurisë profesionale.

IndeksOnline, ka pyetur edhe ministren Vlora Dumoshi se pse nuk po ndahen çmimet, ndërsa ajo ka deklaruar se në zyrën e saj ende nuk ka arritur raporti i komisionit.

“Në zyrën time nuk ka arritur asnjë raport i komisionit për ndarjen e çmimeve vjetore për teatrin. Natyrisht se pandemia na ka shkaktuar vonesa në këtë aspekt, mirëpo me kohë do të ndahen edhe çmimet për teatrin. Unë me sa kam informacion, komisioni ende nuk ka vendosur për çmimet. Por sapo të jetë gati raporti i komisiont, unë si ministre do të thërras takimin për ndarjen e atyre çmimeve”, ka deklaruar ministrja Dumoshi.

Ndryshe çmimet vjetore për teatrin, zakonisht ndahen më 27 mars, në Ditën Botërore të Teatrit. Aty përzgjidhet, çmimi kombëtar për vepër jetësore, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori-aktorja më e mirë dhe prezantimi më i suksesshëm ndërkombëtar.