ZRRE-ja: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) bëri të ditur se më datë 9 gusht të këtij viti, ka pranuar aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Ky institucion i ka kthyer përgjigje KESCO-s duke thënë se nuk ka rritje të çmimit të rrymës.

Megjithatë, në komunikatën e ZRRE-së, u tha se ndër të tjera, në kërkesën e saj FSHU thekson se në mungesë të rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Kosovës të shumës prej 32.8 milionë eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 është tejkaluar pragu i materialitetit prej 5% siç përcaktohet në Rregullën e të Hyrave të FSHU-së, duke mundësuar kështu hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm.

“ZRRE në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal”.

Kurse, në reagimin e tyre u bë e ditur se më 24 gusht, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj me anë të vendimit të asaj date në bazë të interesit publik dhe interesit të përgjithshëm ekonomik, me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe në mënyrë që të mbahet përballueshmëria e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal, kompanisë që vepron si Furnizues i Shërbimit Publik (FShU) i ka vendosur obligimi shtesë i shërbimit publik.

“Ndërsa, me anë të vendimit nr. 23/94 ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje buxhetore në shumë prej 41 milion euro lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike për zbatimin e Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/94 të datës 24.08.2022, për ndarjen e subvencionit kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejt të Shërbimit Universal”, thuhet në reagim.

“ZRRE edhe gjatë muajve në vazhdim, do të monitoroj nga afër gjendjen e kostove të sektorit të rregulluar të energjisë elektrike dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me mandatin mandatit e saj ligjor”, përfundon komunikata e ZRRE-së, dërguar mediave.