“Zonja e skandaleve” emërohet në Bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar përbërjen e re të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Emrat e propozuar nga Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, janë Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili e Klit Shala nga Ministria e Financave, Kastriot Meqa nga Oda e Mjekëve, Agreta Gecaj-Gashi nga SHSKUK-ja dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve, shkruan Demokracia.com.

Në këtë bord është propozuar edhe ish-kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Agreta Gecaj-Gashi.

Ajo njihet si “zonja e skandaleve” në shëndetësi.

Demokracia.com gjatë kohës sa ajo ishte emëruar në bord nga Qeveria Kurti kishte raportuar për shumë sjellje të pahijshme të Gecaj-Gashit.

Ajo njihet si njeriu që edhe sa ishte në krye të SHKKUK-së, nuk e respektonte ligjin, shkruan Demokracia.com.

Agreta Gecaj – Gashi ishte fotografuar teksa tymoste duhan afër sallës operative dhe brenda zyrës së saj.

Madje, ajo ishte parë më shumë se një herë, duke ndezur cigaren brenda hapësirave të QKUK-së.

Në sallën operative, sipas burimeve të Demokracia.com, nuk guxonte të hynte askush me rroba civile, lëre më të konsumojë edhe cigare.

Me Ligjin për Duhanin, neni 11, pika 3.2, saktësohet që duhani jo vetëm nuk pihet në ambiente brenda objektit shëndetësor, por edhe “në afërsi të hyrjeve/daljeve të hapësirave publike, hyrjeve/daljeve të hapësirës së punës dhe hyrjeve/daljeve të institucioneve shëndetësore”.

Ndërsa, me nenin 12, pika 1.3, saktësohet se jo vetëm që zyrtari nuk bën të ndezë cigare vetë, por ai duhet të “mbikëqyr respektimin e ndalimit të pirjes së duhanit”.

Për më tepër, duhet të “ndërmarrin hapa për të ndalur personin nga pirja e duhanit në vendet ku është i ndaluar, duke kërkuar nga personi që të mos pijë duhan, të mos i ofrojnë shërbim dhe të kontaktojnë organet përkatëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit”.

Nëse zyrtari pi vetë duhan brenda ambientit të punës, jo vetëm gjobë, por atij “organi i punësimit i zbret nga paga neto mujore prej pesëdhjetë (50)”.

Ajo njihet edhe për mosrespektim të orarit të punës.

Shërbyesit në shëndetësi dhe nëpër institucione të tjera publike obligohen që ta respektojnë orarin e punës, duke i arsyetuar kështu edhe pagat që marrin.

Sa ishte në krye të Bordit të SHSKUK-së asaj i kishin dalë edhe rastet kur nuk shkonte në punë.

Agreta Gecaj-Gashi, orarin e punës në spital e kishte pothuajse sipas dëshirës. Të paktën kështu shihej në listën e vijueshmërisë së vitit të kaluar, të cilën e ka siguruar Demokracia.com.

Ajo shihet se herë kishte dalë në punë në orën 07:00 e herë në orën 10:00. Ndërsa, me raste nuk kishte dalë fare ose kishte regjistruar vetëm dalje.

Më 13.09.2021, kryesuesja nuk kishte bërë fare hyrje në punë, por vetëm dalje në orën 09:37.51.

Më 08.09.2021, punën e kishte filluar në orën 07:06:18 dhe e kishte mbajtur vetëm deri në orën 08:50:20.

Edhe më 26.08.2021, ajo kishte filluar punën në orën 07:12:49, por nuk e kishte evidentuar edhe daljen.

Të njëjtin ritëm, Gecaj-Gashi e kishte edhe gjatë vitit 2020 kur nuk ishte kryesuese e Bordit të ShSKUK-së.

Më 15.09.2020, ajo kishte bërë vetëm hyrjen, por jo edhe daljen.

Gecaj-Gashi punën e kishte filluar në orën 07:18:47, por daljen nuk e kishte regjistruar fare.

Kurse, më 06.03.2020, ajo kishte zgjedhur të shkojë në punë në orën 09:45, por dalje nuk kishte bërë, raporton Demokracia.com.

Agreta Gecaj-Gashi është anesteziologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). /Demokracia.com/