Legjenda e Chelseat

Zola mendon se Mourinho do të rikthehet së shpejti në drejtimin e një skuadre

Ndihmësi i Maurizio Sarrit te Chelsea, Gianfranco Zola beson se Jose Mourinho do të rikthehet shumë shpejt të jetë trajneri i një skuadre.

Zola e ka mbështetur portugezin pasi që sot në mesditë u shkarkua nga detyra e trajnerit te Manchester United.

“Djajtë e Kuq” renditen në pozitën e 6-të në Premier League me 12 pikë më pak se vendi i 4-të që mbahet nga Chelsea, dhe 19 pikë më pak se lideri, Liverpooli.

Humbja e fundit pikërisht ndaj “The Reds” ka ndikuar që drejtuesit e 20 herë kampionëve të Anglisë të marrin vendimin për shkarkimin e 55 vjeçarit, teksa United ka bërë startin më të keq në histori me vetëm 26 pikë të grumbulluara nga 17 xhiro.

“Nuk është asnjëherë mirë të shohësh se një trajner është shkarkuar aq më pak një si Mourinho, i cili ka fituar shumë trofe në karrierën e tij. I dëshiroj më të mirat e mundshme, jam i bindur se do të fillojë një aventurë të re diku tjetër”, tha Zola.

Skuadra e fundit që e ka menaxhuar Mourinho para Manchester Unitedit ka qenë Chelsea, me të cilët kaloi periudhën e dytë derisa fitoi Premier Leaguen në sezonin 2014-2015, por nuk i shpëtoi sërish shkarkimit nga klubi londinez, derisa në dhjetor të vitit 2015 i dha fund eksperiencës së tij të dytë në “Stamford Bridge” gjersa në atë periudhë “The Blues” ndodheshin në pozitën e 16-të në tabelë.