anëtari

Zogiani kritikon ish-partiakët: PSD-ja po i shet fore opinionit, ajo e mbështet Thaçin

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka kritikuar ish-anëtarët e kësaj partie, tani pjesë e PSD-së se janë duke e ndihmuar presidentin Hashim Thaçi të udhëheq dialogun.

Ai në një intervistë për radio Urban FM ka thënë se PSD-ja po i shet fore opinionit publik kinse nuk janë me presidentin, derisa e akuzojnë VV-në se është duke bashkëpunuar me PDK-në, transmeton Indeksonline.

Zogiani ka folur edhe për Ushtrinë e Kosovës, për të cilën ka thënë se kjo ishte vetëm ide e cila akoma nuk është realizuar dhe se është ishte vetëm një grackë.

“Kosova asnjëherë në fakt nuk ka funksionuar si shtet po si etnitet. Si një vend ku negociohet në vazhdimësi, nuk mund të ketë funksionim normal dhe zhvillim. Dialogu e ka shkatërruar shtetin e Kosovës dhe funksionimin e saj, prandaj, dialogu është përgjegjësi kryesor që Kosova ka shkuar duke u varfëru e jo duke u kthjell ekonomikisht”, ka theksuar Zogiani.

Sipas tij, sa herë që kritikohet Quinti, dalin njerëz e bëjnë propagandë kinse VV-ja është kundër perëndimit dhe SHBA-ve.

“Një shoqëri e definon para së gjithash vetveten, e ka një identitet e një qëndrim. Bota na sheh neve ashtu si sillemi, prandaj që nga përfundimi i konfliktit nuk kemi asnjë shpresë për tu ndërtuar nga brenda. Në momentin që fillojmë të analizojmë Kosovën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, krijohet mendimi që ne s’dimë asgjë. S’kam dëgjuar kurrë në jetë që vjen dikush nga jashtë dhe e krijon një shoqëri, pasi shoqëria ndërtohet vet e bën identitetin vetvetiu”, ka shtuar Zogiani.

Ai ka vlerësuar se Kosova ka një deklaratë të pavarësisë, por gjithmonë e bën atë që ia thonë të tjerët, e jo si ndjehet.

“Kosova s’është vendi i parë që kanë intervenuar të huajt, edhe pse natyrisht kur intervenojnë kanë një rol, por nuk ka kuptim, askund në botë nuk figuron që dikush vjen dhe ta shkruan deklaratën e pavarësisë, të cilës po ia shohim sherrin. Kjo që po ndodh sot është ajo si pasojë e deklaratës së pavarësisë. Me këtë deklaratë, kemi shpall varësi dhe tani kemi ardhur në këtë moment, prandaj ky nuk është raundi final i dialogut”, ka potencuar tutje Zogiani.

Anëtari i VV-së duke komentuar zhvillimet me ushtri, tha se kjo ka qenë një grackë, pasi ushtria s’ka dhe as nuk do të ketë.

“Besoj që SHBA-të janë miq të Kosovës, por shqiptarët duhet të pyesim a janë miq të SHBA-ve. Në fillim është thënë që ushtria duhet të bëhet me ndryshimet kushtetuese. Asnjëherë nuk na është thënë që do të kemi artileri të rëndë, prandaj s’ka ndodh ndonjë transformim i madh në ushtri. U vendosen shumë posterë që janë shpërnda edhe në Shqipëri e Serbi, por nuk ka ndodh asgjë praktikisht dhe materialisht me FSK-në . Ende pa përfundu festa për ushtrinë, është mbledh parlamenti. Sot e asaj dite askush nuk e di pse është thirr ajo seancë e jashtëzakonshme të shtunën, e as nuk ka dhënë shpjegim”, vlerëson Zogiani.

Ai po ashtu përmendi ish-bashkëpartiakun Visar Ymeri, i cili shpesh thotë se Kuvendi duhet të marr rol vendimtar në vend.

“E kam dëgju shpesh Visar Ymerin duke thënë që Kuvendi duhet të marr rol vendimtar në Kosovë. Dje u shpërnda një dokument i Ramush Haradinajt në gjuhën shqipe dhe angleze për dialogun dhe u thirr seanca e jashtëzakonshme, e çka arsyetohet. Sot e asaj dite nuk ka vullnet që parlamenti të marr atë rol. Opozita thirr një seancë për të diskutuar për dokumentin me të cilin po sillen nëpër Kuvend, Kadri, Shpendi e Fatmiri. Këtë dokument e kanë quajtur ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë’. Prandaj, pse na duhet dialogu, pse duhet të shpenzojmë 300 mijë euro për një marrëveshje që është kryer, pazari është bërë. Tek e fundit, Shpendi veç ka shku e ka pranu një dokument prej dikujt tjetër”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, nuk ka sens që LDK e VV të përfshihen në dialog. Ai kritikoi Dardan Sejdiun se po shet fore sa i përket udhëheqjes së dialogut nga presidenti Thaçi.

“Dardan Sejdiu po i shet fore opinionit publik, PDS ka dhënë zero kontribut në Kuvend. Këto janë fore për me e bind opinionin që nuk po e mbështesin Hashimin, e knej dalin në foto me të e me Kadrinë, derisa thonë se VV-ja është me PDK-në. Këta (PSD) po duan një proces në të cilin janë hy pa dhënë asnjë kontribut, por për t’i dhënë ndihmesë presidentit. Pse nuk erdhën dje në seancë, pse po e pranojnë një dokument, për të cilin nuk dihet se as kush e ka shkruar? Nuk jepet shteti për një letër, nuk zhvatet. Këtu po hyjmë të negociojmë për Kosovën, për territorin e shtetësinë, kushtetutën e Kosovës, e asnjë kompromis të Serbisë. Ne me këtë dokument kemi marr disa përgjegjësi, askush nuk po i lexon dokumentet”, ka thënë ndër tjerash Zogiani.