Prishtinë

Zllashi 22 vite pas, vendi ku Specialja pretendon se u kryen krime lufte

Fshati Zllash në Prishtinë sot duket një vend i qetë, por nuk e kishte një qetësi të tillë gjatë periudhës së luftës.

Gjatë luftës në këtë fshat UÇK-ja kishte një bazë qëndrimi.

22 vite pas, këtij fshati i është shtuar vëmendja pasi Gjykata Speciale pretendon se aty u kryen krime lufte.

Për këto krime po akuzohet eprori i UÇK-së, Salih Mustafa që në atë kohë ishte përgjegjës për njësinë “BIA” që kishte bazën ne Zllash.

Madje sipas Gjykatës Speciale, “Cali” me shokë i keqtrajtoi bashkëkombësit që i përkisnin një partie tjetër politike.

Këto pretendime të Speciales po i keqtrajton pronari i tokës, Verdi Krasniqi që ishte edhe vet ushtarë i UÇK-së.

“Unë kam qenë vet pjesëtar i UÇK-së dhe mburrem për diçka të tillë. Kam qenë ushtarë edhe për kohën që po flitet nuk kam informata të tilla”, deklaroi Verdi për RTV Dukagjinin.

Bashkë me Salih Mustafën për dy vite në Zllash ishte edhe Azem Sahiti.

“Dy vite kemi qëndruar me Salih Mustafën por këto gjëra që po i thotë Specialja nuk i kemi dëgjuar e as i këna parë si ushtarë që kemi qenë këtu…Ne kemi dëgjuar vetëm nga mediat për akuzat dhe na vjen keq për to”, tha Sahiti, përcjell Telegrafi.

Ish-ushtarët e UÇK-së habiten se si komandanti i tyre akuzohet për keqtrajtim të bashkëkombësve.

“Këto akuza nuk qëndrojnë pasi në këtë pjesë ka pasur edhe njerëz të LDK-së. Disa figura qëndrore të LDK-së gjatë luftës kanë qenë këndej”, deklaroi Verdi Krasniqi

“Të gjithë kemi qenë në LDK dhe i jemi bashkangjitur luftës. Baba, mixha i janë bashkangjitur UÇK-së dhe kanë qenë pjesë e LDK-së. Për këto gjera ne vetëm në media kemi dëgjuar”.

Dy dekada pas, në Zllash ka mbetur vetëm një hambarë pasi sipas banorëve objektet tjera janë shkatëruar nga forcat serbe.