Zjarri në një magazinë në Bangladesh, thellohet bilanci i viktimave, qindra të plagosur

Thellohet bilanci i viktimave nga zjarri në një magazinë në Bangladesh. Deri më tani raportohet për 34 persona të vdekur dhe qindra të tjerë që kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ndodhi në një depo magazinimi pranë qytetit të Chittagong, Bangladesh. Ndonëse për fikjen e zjarrit u angazhuan qindra njerëz, një numër kontejnerësh shpërthyen në Sitakunda. Nuk dihet shkaku i zjarrit, por mendohet se në disa prej kontejnerëve kishte lëndë kimike.

Spitalet e zonës janë të mbingarkuar dhe kanë apeluar për dhurim gjaku. Shumë prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje kritike dhe mendohet se numri i të vrarëve mund të rritet.

“Shpërthimi sapo më hodhi rreth 10 metra larg vendit ku po qëndroja. Duart dhe këmbët e mia janë djegur,” tha shoferi i kamionit Tofael Ahmed për agjencinë e lajmeve AFP. Një tjetër vullnetar i tha agjencisë se kishte parë më shumë trupa brenda zonës së prekur nga zjarri.