Zjarri në fabrikën e qeseve në Bërnicë, pronari thotë se ka dëme mbi 1 milion euro

Në orët e pasdites në fshatin Bërnicë të Komunës së Prishtinës në një fabrikë e cila bën prodhimin e qeseve ka shpërthyer një zjarr.

Nderim Berisha, i cili është djali i pronarit të kësaj fabrike, në një intervistë për Edicionin Special tha se vlera e dëmit të shkaktuar nga zjarri llogaritet të jetë nga 1 milion deri në 1.5 milionë euro.

Ai ka dhënë më shumë detaje edhe se si ka ndodhur që kjo fabrikë të përfshihet nga zjarri.

“Shkaktarët nuk i dimë ende. Hetuesit do të merren me rastin. Mirëpo, dëmi është goxha i madh. Dëme materiale ka shumë. Të punësuar i kemi rreth 30 punëtorë. Në momentin e zjarrit në fabrikë kanë qenë ndërrimi i dytë dhe i tretë, në ora 17:00, pasdite. Diku shtatë ose tetë punëtorë kanë qenë brenda, por fatmirësisht nuk ka të lënduar prej tyre. Kryesorja për neve është që punëtorët i kemi shëndoshë dhe mirë dhe vetë jemi shëndoshë e mirë”.

“Dëmi është nga 1 milion deri në 1.5 milionë, sepse kaq është vlera e makinave që kanë qenë aty. Brenda ka pasur makina dhe materiale, asgjë më shumë. “Euro Plasti” vepron dhe prodhon që nga viti 2004 ku bëjmë prodhimin e qeseve”.