“Zjarri i Lirisë” është ndezur për herë të parë edhe në Diasporë, në një aktivitet të zhvilluar në Langenfeld të Gjermanisë, në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës dhe në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Atdhetari i shquar Hektor Beqiri, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka falënderuar të gjithë bashkatdhetarët që morën pjesë në këtë aktivitet dhe kontribuuan në madhështinë e tij.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Ajet Krasniqi, vëllai i Heroit të Kosovës, Mujë Krasniqi, si dhe ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Muharrem Xhemajli.

Beqiri e ka cilësuar ndezjen e zjarrit si një simbol të kujtesës, qëndresës, solidaritetit dhe mbështetjes për çlirimtarët.

“Ky zjarr është më shumë se një flakë. Është kujtesë, qëndresë, solidaritet dhe besim në drejtësi”, ka shkruar Beqiri.

Ai ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e diasporës në kuadër të iniciativës “Kosova po pret”, duke theksuar se “Ora e Pritjes” është shpalosur në qindra qytete anekënd Evropës.

Sipas Beqirit, kjo nismë do të vazhdojë deri në ditën e aktgjykimit, ndërsa ai ka bërë thirrje për unitet dhe pjesëmarrje edhe në organizimet e ardhshme.

“Atë ditë, do të jemi bashkë në Hagë. Do të presim bashkë. Do të qëndrojmë bashkë”, ka shkruar ai.

Në fund të postimit, Beqiri ka përcjellë mesazhin:

🇽🇰 “Kosova po pret.”
🔥 “Zjarri i Lirisë po digjet.”
⏳ “Ora e Pritjes vazhdon.”
🤝 “Bashkë, deri në fund!”