Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka njoftuar se do t’u kthehet protestave, për shkak të mos realizimin e kërkesave të tyre nga institucionet qeveritare.
Sindikata e Zjarrfikësve ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, në zyrat e BSPK-së do të organizohet një konferencë për shtyp ku do të informohet publiku dhe institucionet lidhur me vendimet dhe qëndrimet e Sindikatës së Zjarrfikësve që të fillojnë aplikimin e masave sindikale, “riaktivizimin e protestës”.
Ballkani.info ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka i cili ka përshkruar problemet e zjarrfikësve dhe synimet e tyre përmes protestave.
“Këtu ka shumë probleme të pazgjedhura. Prej pasluftës askush nuk është marrë më ketë çështje. Gjendja është perkeqësuar prej vitit 2012 kur shërbimi prej komunave ka kaluar në nivel qendror. As nuk i merr përsiper kompetencat Komuna e as Ministria, dhe kështu jemi mbetur në “ajr” apo siç thuhet “as mish e as peshk”. Ju jemi drejtuar gjitha Qeverive prej, kemi pasur edhe protesta edhe greva mandje greva e fundit ka qenë para 3 muajeve. Kërkesat kanë qenë shumë të qarta të bazuara në ligje, por asnjëherë nuk janë zbatuar të drejtat e zjarrfiksëve të garantuara me ligje për të drejtat e punëtorëve” theksoi ai.
Më tutje, Beka tregoi dhe kërkesat e sindikatës që sipas tij janë themeltare.
“Kërkesat janë rregullimi i statusit juridik i padefinuar, defiinimi i kompetencave menaxhuese, të përcaktohet vija buxhetore sepse zjarrfikësit nuk kanë buxhet as në nivel lokal e as qendror, te behet niveliziimi i koeficenteve dikush 4.53 e dikush 5.5 është nje jo-harmonizim koeficentesh dhe kjo është një diskriminim. Ndrrimet e natës, puna gjate festave shtetërore dhe fetare nuk janë kompenzuar asnjëherë, këto kanë qenë kërkesa bazike, prioritare. Poashtu nuk ka uniforma, simbole jemi në tërësi jashtë sistemit. Kemi pritur që do të reflektojnë, është bërë komisioni qeveritar për zbatimin e kërkesave, asgjë nuk ka ndodhur dhe pakënaqësia është shtuar. Ne do të mbajmë konferencë për shtyp ku dhe do ta caktojmë datën e protestës”, përfundoi kryetari i sindikatës së zjarrfikësve, Muharrem Beka.
Zjarrfikësit edhe më parë kanë protestuar dhe kanë mbajtur greva për të drejtat e tyre. /Ballkani.info/







