Zjarret vazhdojnë të digjen në të gjithë Evropën pasi temperaturat mbesin të larta

Në Romë, një zjarr i madh dogji rezervatin natyror të Monte Marios.

Zjarrfikësit u panë duke hedhur ujë nga helikopterët mbi zjarrin në zonën kodrinore, ndërsa shumë banorë u evakuuan pasi flakët iu afruan ndërtesave aty pranë.

Siç raportohet, vendndodhja e zjarrit nuk ishte shumë larg studiove të televizionit publik italian RAI dhe vetëm 2.5 kilometra nga Bazilika e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit.

Ndërkohë, në Shqipëri zjarret kanë vazhduar të digjen, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Shumë prej tyre iu afruan edhe banesave në fshatin jugor të Mashkullores në rrethin e Gjirokastrës, por pa dëme.

Megjithatë, në qytetin bregdetar të Shëngjinit, situata ishte më e rëndë.

Qindra zjarrfikës, personel ushtarak dhe vullnetarë kanë arritur të kontrollojnë një zjarr të madh i cili dëmtoi ndërtesa dhe lokale në plazh, duke i bërë vizitorët të ikin nga paniku.

Për të shuar flakët në qytet kanë ndihmuar një helikopter Cougar i ushtrisë shqiptare dhe dy aeroplanë italianë Canadair, pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Në Maqedoninë e Veriut, një zjarr i madh ka shpërthyer në lindje të Sveti Nikolas.

Për të shuar zjarrin janë angazhuar një helikopter i ushtrisë dhe tre aeroplanë Air Tractor.

Në fshatin Kokoshinje, midis Sveti Nikolas dhe Probishtipit, një i moshuar vdiq nga thithja e tymit, pasi fshati u përfshi nga zjarri.

Kryeministri Hristijan Mickoski e siguroi opinionin se ka mjaft zjarrfikës për menaxhimin e zjarreve, edhe pse ato janë në kulmin historik.

Vetëm ditën e djeshme janë raportuar 66 zjarre aktive në ambiente të jashtme, 40 prej të cilave janë shuar me sukses.

Ndryshe, Serbia i ka huazuar dy helikopterë Maqedonisë së Veriut për të ndihmuar në luftimin e zjarrit të rëndë pyjor që po përhapet pranë manastirit Prohor Pçinjski, në kufirin mes dy vendeve.