Zjarret rrethojnë Evropën, zjarrfikësit në luftë me flakët

Me mijëra zjarrfikës janë duke luftuar me flakët e zjarreve, të cilat prej një jave kanë përfshirë disa shtete evropiane.

Portugalia, Spanja, Franca, Greqia por edhe Italia janë duke përjetuar situata më dramatike për shkak të temperaturave të larta.

Rajoni Gironde në jug perëndim të Francës është prekur më shumë nga zjarret, ku më shumë se 12 mijë njerëz janë evakuuar. Autoritetet në Francë parashikojnë se temperaturat mbi 41 gradë celsius do të vijojnë edhe në fillim të javës.

Në veri të Portugalisë një pilot humbi jetën teksa ndihmonte në shuarjen e zjarreve. Për shkak të nxehtësisë, më shumë se 238 persona kanë humbur jetën në Portugali në javët e fundit.

Gjatë këtij viti Zjarret kanë shkatërruar më shumë se 30 mijë hektarë tokë në shtetin iberik. Qeveria pritet të zgjasë situatën e emergjencës për shkak të rreziqeve nga zjarret, shkruan Euronews, përcjell Klankosova.tv

Në Spanjën fqinje, të paktën pesëmijë e 500 hektarë janë shkatërruar në Las Hurdes në Extremadura. Zjarri ka detyruar evakuimin e rreth 400 banorëve nga tetë fshatra. Provinca veriperëndimore e Ourense është në alarm të kuq pasi temperaturat pritej të arrinin 42 celsius.

Qytetarët hynë në det për të shpëtuar nga flakët dhe nga zjarri që nisi të pushtonte një pyll me pishe në vendpushimin bregdetar të Bibione, një nga plazhet më të populluar në Itali.

Në Greqi, zjarrfikësit përballen me flakët në rajonin në jug-lindje të Athinës dhe në bregun verior të Kretës. Shtatë fshatra janë evakuuar.