Zjarr në objekt servisimi automjetesh në Prishtinë, flet pronari (Video)

Paraditen e së hënës, në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë, ky objekt u përfshi nga një zjarr i madh. Fatmirësisht të lënduar nuk pat, por pati shumë dëme të biznesit. Pronari i biznesit i cili mori edhe tretman mjekësor për shkak të asfiksimit  që mori nga flakët, kishte tentuar që i vetëm  t’i nxjerrë jashtë veturat nga punëtoria.

“Prej momentin që e kam mbyllur lokalin kam shkuar te kojshia me pi nje kafe ka rdhe dikush m’ka lajmeru që i ka hyrë flaka, jemi munduar me shymë zjarrin me i qit kerret jashtë”, ka thënë Mejdi Rexhepi, pronar.

“Po po kemi hyrë edhe brenda me ndalu zjermin. Të gjitha pajisjet për rregullimin e veturave në vlerë prej mijëra euro janë djegur”.

Pronari beson se shkaktar ishte rryma.

“Prej kapormanit, prej rrymes, kemi mbrri me i shpëtu tri vetura e katërta ka mbetur brenda plus mjetët janë djegur komplet, dëmet janë dikund 13 mijë euro”, tha ai.

Inspektori për parandalimin e zjarreve, Muharrem Beka, tregon dyshimet e para që kanë shkaktuar këtë rast.

“Është një zjarrë i brendshëm nuk dyshohet se është zjarrëvënje e qëllimshme, është proces mjatë i vështirë sepse objekti është shumë i vjetër dhe instalimet elektrike janë mjaftë të vjetra, do të bëjmë përpjekje që të gjejmë shkaktarin”, thotë Beka.

Për të parë nga afër rastin, ishin edhe njësia e hetimeve të cilët edhe morën prova nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes telefonit i tha RTK-së, që palët nuk duhet të konstatojnë para se të bëhen hetimet finale, ndërkaq ekipet e kësaj kompanie kanë marrë provat për të dalë më vonë me një vendim. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.