Zhytësi Ismail Kasumi në gjendje të dehur e rreh gruan, lirohet pas intervistimit

Njihet si personi i vetëm në Kosovë i cili më së shumti ka nxjerrë kufoma nga uji. Por Ismail Kasumi gjatë së premtes ka bërë një vepër të rëndë. Ai në gjendje të dehur e kishte rrahur gruan e tij pak para mesnatës. Rasti është raportuar në polici nga ana e familjareve të Kasumit.

Zhytësi më me përvojë që ka Kosova, Ismail Kasumi në mesnatën e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës ka qëndruar në qendër të paraburgimit. Ai ishte arrestuar nga ana e zyrtarëve të policisë së Kosovës nën dyshimin se kishte kryer veprën penale ‘Dhunë në Familje”.

Por kur policia, Kasumin e kanë dërguar në stacionin policor, aty e kanë vërejtur se i njëjti kishte qenë në gjendje të dehur.

Andaj në pamundësi të marrjes së deklaratës, zhytësi Kasumi ka qëndruar në stacionin policor deri në orën 06:00 të mëngjesit të së shtunës.

E lajmin për këtë vepër të zhytësit kosovar, e ka konfirmuar për Gazetën Express, prokurori kujdestar në Prishtinë, Ali Ajdini.

“Mund të ju konfirmojë se prokurori i rastit është njoftu për këtë rast rreth orës 00:00 të mesnatës. Kasumi ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur e ka sulmuar bashkëshorten e tij. Policia deklaratën ia ka marrë në orën 06 të mëngjesit”, ka deklaruar për Express, prokuroi që po merret me këtë rast.

E Kasumi në deklaratën e tij dhënë policisë ka pohuar se ka kryer veprën penale, dhe se për të njëjtën është penduar.

Zhytësi më i njohur në vend Ismail Kasumi që 50 vite merret me zhytje. Që nga ajo kohë, ai ka arritur që t’i nxjerrë nga lumenjtë e ndryshëm shumë kufoma që arrijnë shifrat e mbi 500 personave.
Kasumi ka marrë pjesë edhe në kërkimet për dy policët, Malsor Dashi dhe Armend Trena të cilët gjatë muajit prill të vitit të kaluar tragjikisht humbën jetën në një aksident. Ata u gjetën disa ditë pas në lumin Lepenc. Në kërkime për disa ditë kishte marrë pjesë edhe zhytësi Kasumi.