Zhytësi britanik që ndihmoi në nxjerrjen e 12 nxënësve të ngecur në një shpellë në Tajlandë, është nxjerrë pas ngujimit në një shpellë

Njëri nga zhytësit britanik, që ndihmoi në nxjerrjen e 12 nxënësve të ngecur në një shpellë në Tajlandë, ka qenë në qendër të një misioni të ngjashëm shpëtimi – por, kërkoi vetëm pica, kur u nxor nga ngujimi pas 28 orëve.

Josh Bratchley po e eksploronte një shpellë në Tennessee të Shteteve të Bashkuara, së bashku me një grup zhytësish nga Britania e Madhe, kur humbi orientimin dhe nuk mundi të shfaqej sërish në sipërfaqe në kohën e caktuar.

Të frikësuar për gjendjen e tij, shoqëruesit ia nisën ta kërkonin, por nuk po e gjenin askund. Me të marrë lajmin, autoritetet kanë dhënë alarmin dhe dy grupe nga shtete të ndryshme janë nisur për ta kërkuar.

Ata kanë hyrë në sistemin e shpellës së thellë 120 metra dhe e kanë gjetur Bratchley në një pjesë të ngritur, ndërsa e kanë nxjerrë jashtë pas një ore.

“Atë e gjetëm të qetë, me vetëdije dh të orientuar. E vetmja gjë që kërkoi kur e nxorëm, ishte një copë picë” ka thënë anëtari i një prej grupeve të shpëtimit.

Kontrolli që i kanë bërë mjekët, ka gjetur se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe se mund të vazhdojë me zhytjet e parapara me grupin.

Së bashku me një grup zhytësish, Bratchley ka ndihmuar në nxjerrjen e 12 nxënësve, që kishin ngecur në një shpellë të Tajlandës, gjatë vitit të kaluar.