Zhvillimet në dialog, Abdixhiku ftohet për vizitë zyrtare në Paris

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me ftesë të autoriteteve franceze do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Paris.

Në njoftimin për media të LDK-së thuhet se gjatë ditëve në vijim Abdixhiku do të takohet me zyrtarë institucional të shtetit të Francës, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike, dialogun dhe rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Ndryshe, në dialogun Kosovë-Serbi së fundmi ka pasur disa zhvillime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një takim të mbajtur më 27 shkurt kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”.

Marrëveshja – për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve – nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga BE-ja.

Marrëveshja në thelb është një shtesë e marrëveshjes së arritur më 2013 në Bruksel, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka paraparë normalizimin e marrëdhënieve, pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008 – veprim që Serbia nuk e ka pranuar kurrë.