Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gjatë ditës mërkurë ka marrë vendim për pezullimin e Partisë Socialdemokrate (PSD).

Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Kjo parti obligohet që në afatin prej 45 ditësh të mbajë konventën zgjedhore”, ka thënë ai.

Anëtari i PSD-së, Zgjim Hyseni, në një deklaratë për Ballkani.info ka thënë se kjo parti do t’i përmbahet vendimit të KQZ-së dhe se në fund të janarit të vitit të ardhshëm do të mbajnë konventën zgjedhore.

“Nuk është asgjë serioze, është një afat që teknikisht na ka ikur neve. Ne kemi me mbajt Kuvendin besoj në fund të janarit të vitit tjetër. Është një proces që kryhet pa problem”, ka thënë Hyseni për Ballkani.info.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka pezulluar dy subjekte politike, Partinë Socialdemokrate dhe Lëvizjen për Bashkëveprim, për shkak të mos mbajtjes së kuvendeve zgjedhore brenda afatit ligjor.

Deri te pezullimi ka ardhur me rekomandim të Zyrës për regjistrimin, certifikimin dhe kontrollin financiar të partive politike (ZRCKFPP), pasi që afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor për Lëvizjen për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për PSD-në më 15 dhjetor 2023.

Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala lidhur me pezullimin e PSD-së, tha se më 18 dhjetor kanë përgatitur rekomandimin dhe e kanë dërguar te KQZ për shqyrtim. Ai shtoi se PSD më 12 dhjetor ka bërë kërkesë që të mbajë kuvendin më 28 janar, për çka tha se e kanë trajtuar këtë kërkesë.