Zgjidhen bordet e Trepçës dhe KEK-ut

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur bordin e rregullt Mbikëqyrës të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Trepça”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga dy po e ngritin në katër numrin e bordeve të rregullta të ndërmarrjeve, borde që janë zgjedhur nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se ndërhyrja e tyre ishte e domosdoshme për të ndërprerë keqpërdorimet.

“Ndërmarrjet publike nga barrë për buxhetin e shtetit do t’i shndërrojmë në kontribuues të tij. Aktualisht i kemi edhe 10 ndërmarrje publike me borde të përkohshme. Konkursi për ‘Trepça’ Sh.a është shpallur nga Zyra e Kryeministrit.

Anëtarët e Bordit janë: Bahri Hyseni kryesues, Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci, Bujar Bilalli dhe Xhevdet Tahiri.

“Pritja jonë është që anëtarët t’i kryejnë detyrat në përputhje me ligjin duke u bazuar në kompetencë e profesionalizëm. Për katër pozitat tjera të lira u bëjmë thirrje nga këtu të kemi më shumë kandidate gra dhe nga komunitetet joshumicë”, ka thënë ai.

Ndërkaq anëtarë të Bordit të KEK-ut janë: Skënder Haziri kryesues, Merita Kasapolli, Bezat Halilaj, Valbona Raifi-Deshishku, Mustafa Pllana, Valdrin Krasniqi anëtarë.