Tmerri

Zgjerohen hetimet për rastin në Drenas, cak edhe disa kolegë të policit Vesel Veseli

Rasti që ndodhi në Drenas me abuzimin seksual të një vajze të mitur, ku të implikuar janë një polic hetues e edhe një profesor, tronditi opinionin. Por, skandali nuk përfundon me kaq.

Gazeta Express nga burime mirë të informuara në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit, ka mësuar se pas rastit me Vesel Veselin, kanë vazhduar hetimet edhe në disa pista. Cak i hetuesisë janë edhe disa policë të tjerë, shokë e kolegë të Veselit. Për këta persona edhe nga IPK kanë konfirmuar se kanë informacione.

Express sjell rrëfimin e një mërgimtari, ndërkaq, për të mos ndikuar në procesin e hetimeve në shkrim nuk do të publikohen emrat e të dyshuarve

Një grup i organizuar mirë brenda policisë në Drenas, po dyshohet se tash e 20’vite pas luftës ka terrorizuar banorët e kësaj ane, shpesh herë duke i mbajtur në kontroll nëpërmjet shantazheve, të ngjashme me ato që Vesel Veseli i ka bërë tash 18’vjeçares A.G.

Këto informacione, që u bënë publike vetëm pas skandalit, kanë bërë të ditur se personat të cilët dyshohet se janë të përfshirë në raste të ndryshme, janë shokë e koleg të policit hetues, që tashmë ka dalë para organeve të rendit.

Në adresë të Gazetës Express, janë dërguar edhe emrat e disa personave të tjerë, e për ta janë dhënë edhe rrëfime nga ku pretendohet se disa policë kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Informacionet e tilla, kanë rënë në vesh të organeve të rendit e i kanë mobilizuar krerët e institucioneve të sigurisë.

Një zyrtar i Lartë i Policisë së Kosovës i ka thënë Gazetës Express se kanë marrë informacionet që e tejkalojnë rastin që është bërë publik në media, e tashmë hetimet janë zgjeruar në disa pista që përfshijnë Rajonin e Policisë në Drenas.

Sot gjatë ditës për këtë temë ka pasur edhe një takim mes krerëve të lartë të Policisë dhe IPK’së, nga ku janë udhëzuar Inspektorati që të zgjerojnë hetimet edhe në personat e tjerë ku rëndojnë dyshimet. Një takim u mbajt edhe me të parin e Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Në Polici thonë se janë të interesuar ta vënë në pranga cilindo që ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, madje, hetimet për këtë rast nuk do të ndalen e do të merret vesh se a ekziston grupi i organizuar për të cilin po dyshohet që kishte lidhje me policin hetues.

E në Prokurorinë e Shtetit, janë deklaruar se gjithcka është duke u hetuar nga prokurori i cili po merret me rastin, duke konfirmuar se po i zgjerojnë hetimet.

Ndërkohë që në Inspektoratin Policor të Kosovës për këtë temë flasin pak, e kjo sipas tyre për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe integritetit të hetimit, që ia pamundëson të shpalosin më shumë detaje. Megjithatë, IPK’ja ka thënë se do t’i trajtoj të gjitha informatat.

“Inspektorati Policor i Kosovës trajton secilën informatë që bie në kuadër të fushëveprimit ligjor të IPK-së”, janë deklaruar zyrtarisht nga Inspektorati.

Për dyshimet mbi të bëmat e policëve të kësaj komune, sipas rrëfimit të një mërgimtarit, më së shumti kanë pësuar që shumë vite rinia e kësaj komune.

I.S. nga Drenasi, i ka thënë Gazetës Express se vite më parë ishte detyruar të ikte në Gjermani, e ka gjashtë vite që nuk ka vizituar Kosovën.

Krejt fajin për këtë po ua lë disa policëve të kësaj komune, e njëri nga ta edhe Vesel Veseli, për të cilët pretendon se ka informacione se vite me radhë kanë ngacmuar vajza, kanë vjedhur e kanë shantazhuar.

“Unë e kam lëshuar Kosovën nga këto ndyrësira, ka gjashtë vite që nuk kam qenë në Kosovë se mbi 10 vepra më kanë ngarkuar, pa bërë asgjë më kanë dërguar në prokurori. Këta janë grup, të gjithë i kam afër. Vesel Veseli, M.J, A.E, si dhe B. e Q. , janë edhe disa të tjerë të cilët vepra makabre kanë bërë në Drenas. Kur kam qenë në shkollë të mesme, s’kanë lënë goca pa ngacmuar, të mitura, ato s’kanë treguar nga frika se nuk ka ligj në Kosovë”. thoshte ai, duke shtuar se për të njëjtët ka informacione edhe se kanë vjedhur.

I njëjti ka kërkuar që këto informacione që e bënë të lë Kosovën duhet të publikohen për arsye që më në fund të ketë vetëdijesim.

“Unë vet kur kam qenë në shkollë të mesme këta kanë bërë ngacmime seksuale sepse kanë pas forcën në thojza policë të pandershëm, vjedhjet që kanë ndodh në Drenas këta i bëjshin vetë, i merrnin çunat e ri e i akuzojshin pa prova”, ka përfunduar ai.

Mirëpo, ky rast nuk është i vetmi për të cilën është rrëfyer pasi që u mësua historia me 18’vjeçaren A.G.

Në rrjete sociale është shpërndarë edhe një thirrje e një të miture nga kjo komunë që po pretendon se M.J, polici për të cilin foli edhe mërgimtari, e ka dhunuar një nxënëse të shkollës së saj.

“Jam një nxënëse e gjimnazit të Drenasit nga Kizhnareka, jam 17 vjeçe kam frik për të shkruar po e pash postimin nëpër faqe të internetit që ky plehra Vesel Veseli e ka dhunuar një nxënëse të shkollës.Njëjtë ngacmohemi edhe nga shoku i tina i cili na kërcënon dhe kërkon favore të seksit”, shkruante vajza, duke kërkuar, nga frika, që mesazhi të publikohet pa u zbuluar identiteti.

Kreu i Policisë në Drenas, me gjithë insistimin nuk ka folur për media për këtë rast, për të sqaruar se a ka pasur informacione mbi ato që po ndodhnin brenda institucionit në të cilin udhëheq.

Rasti i A.G, që për vite me radhë ishte abuzuar seksualisht fillimisht nga profesori e pastaj nga polici hetues te i cili ishte drejtuar për të denoncuar rastin e profesorit, ka tronditur opinionin.

Për këtë rast janë arrestuar profesori Shkelzen Xhekaj, polici Vesel Veseli e dje është arrestuar edhe gjinekologu Fehmi Ahmeti.