Ministri Krasniqi

“Zgjedhjet në veri pas verës”, ministri Krasniqi: Pas 24 shtatorit gjithçka është ndryshe

“Nga data 24 shtator e këtej gjithçka është ndryshe”. Kështu deklaroi Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media të enjten pasi u pyet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri.

Në korrik të këtij viti, Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të zvogëlohet për 25 për qind, ndërsa zgjedhjet e parakohshme në këto komuna të mbahen pas stinës së verës.

Por, ministri Krasniqi tha se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit gjërat kanë ndryshuar.

Ai para mediave u shpreh se Kosova ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës, ndërsa Beogradi ka dërguar një grup të terroristëve që të aneksojnë veriun.

“Nga koha kur është nënshkruar Marrëveshja e Bratisllavës Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime si zotim i atij diskutimi mes zëvendëskryeministrit dhe emisarit Lajcak, që të kontribuojë në qetësimin e situatës dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ne si Qeveri kemi thënë se jemi për mbajtjen e zgjedhjeve, por për të shkuar në zgjedhje duhet kaluar në një proces demokratik”.

“Masat për Kosovën kanë qenë të padrejta atëherë e mbesin të padrejta edhe sot. Kosova ka bërë çkado që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi e Beogradi çfarë ka bërë? Ka dërguar një grup të terroristëve që të aneksojnë veriun e Kosovës. Për këdo që mendon se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës, unë besoj se është mirë që të vlerësohet situata edhe njëherë drejt”, tha Krasniqi.